Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka evidentuar shkelje serioze të sigurisë ushqimore gjatë kontrolleve të fundit në Tiranë, duke ndërhyrë në dy subjekte të përpunimit të qumështit dhe mishit. Gjatë inspektimit në subjektin “Bonum” (baxho), u konstatuan kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, përfshirë prani myku, ndryshku dhe lagështie në ambientet e përpunimit. Si rezultat, AKU bllokoi aktivitetin dhe sekuestruan 328.7 kg djathë të bardhë dhie. Ndaj subjektit u vendos edhe një gjobë prej 300 mijë lekësh.
Kontrolle u ushtruan edhe në subjektin “KMY”, ku u evidentuan shkelje në procesin e përpunimit të mishit, konkretisht në mënyrën e shkrirjes së produkteve në një ambient ndihmës jashtë standardeve. Për këtë arsye, u bllokuan: 588 kg fileto pule “Super Frango” dhe 150 kg gjoks pule “Pechungon”
Produktet janë marrë në analizë mikrobiologjike dhe do të qëndrojnë të bllokuara deri në daljen e rezultateve. Edhe ndaj këtij subjekti u vendos gjobë në vlerën 300 mijë lekë. AKU thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshuar.
NJOFTIMI I AKU
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në vijim të transparencës dhe informimit të publikut, bën me dije se trupat inspektuese të Drejtorisë Rajonale Tiranë, bazuar në planin mujor të kontrolleve me bazë risku në stabilimente me rrezikshmëri të lartë, kanë ushtruar kontrolle zyrtare në dy subjekte me aktivitet “Përpunim qumështi” dhe “Përpunim mishi”.
- Gjatë kontrollit zyrtar në subjektin “Bonum” (Baxho), trupa inspektuese konstatoi kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme, si dhe prani të mykut, ndryshkut dhe lagështisë në ambientin e përpunimit. Për këto shkelje, u mor masa e menjëhershme e bllokimit të aktivitetit si dhe bllokimi i produktit të pasigurt: 328.7 (triqind e njëzet e tetë pikë shtatë) kg djathë i bardhë dhie.
Ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën e 300.000 (triqind mijë) lekë për ushtrim të aktivitetit në kundërshtim me kërkesat ligjore mbi kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve.
- Gjithashtu, gjatë kontrollit në subjektin “KMY” (Përpunim mishi), u konstatua një ambient ndihmës me kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme, ku procesi i shkrirjes së produkteve kryhej në kundërshtim me normat teknike. Për këtë arsye, u vendos masa e bllokimit për ambientin ndihmës si dhe bllokimi i sasive të produkteve:
588 (pesëqind e tetëdhjetë e tetë) kg fileto pule “Super Frango”;
150 (njëqind e pesëdhjetë) kg gjoks pule “Pechungon”.
Nga këto produkte janë marrë mostrat për analizë mikrobiologjike dhe sasia do të qëndrojë e bllokuar deri në daljen e rezultateve laboratorike. Ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën e 300.000 (triqind mijë) lekë.
AKU garanton konsumatorët se do të vijojë kontrollet rigoroze në mbrojtje të shëndetit publik dhe inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo rast të cenimit të sigurisë ushqimore në e-mailin zyrtar [email protected] ose në numrin e gjelbër 08007575.
