Një shtetas kinez dhe bashkëpunëtori i tij kenian e kanë pësuar keq, duke përfunduar pas hekurave, pasi janë vënë nën akuzë për tregti të paligjshme të specieve të egra. Autoritetet në Kenia zbuluan një tentativë për të kontrabanduar më shumë se 2,000 milingona mbretëreshë të gjalla jashtë vendit.
Sipas hetimeve, Zhang Kequn u arrestua në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin Nairobi, pasi në bagazhin e tij u gjet një sasi e madhe insektesh, të fshehura në epruveta dhe të mbështjella me peceta për transport.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar të martën, u bë e ditur se Zhang i kishte blerë milingonat nga Charles Mwangi për rreth 10,000 shilinga keniane për çdo 100 copë. Të dy janë akuzuar edhe për komplot për kryerjen e një krimi të rëndë dhe aktualisht mbahen në paraburgim. Autoritetet keniane kanë ngritur shqetësimin për rritjen e kërkesës për milingonat e kopshtit në tregjet e Evropës dhe Azisë, ku ato përdoren nga koleksionistët si kafshë shtëpiake. Edhe pse nuk është konfirmuar nëse ky ishte destinacioni final i ngarkesës, bagazhi i Zhang kishte si destinacion Kinën.

Ndërkohë, Mwangi përballet edhe me një akuzë të dytë, pasi në një rast tjetër iu gjetën milingona të gjalla në posedim. Të dy të pandehurit kanë deklaruar pafajësi, ndërsa avokati i Zhang ka pretenduar se klientët e tij nuk ishin në dijeni se po shkelin ligjin dhe kishin synim të përfitonin ekonomikisht nga shitja jashtë vendit.
Çështja pritet të rikthehet në gjykatë më 27 mars, ndërsa hetimet vijojnë. Zyrtarë të Shërbimit të Jetës së Egër të Kenias kanë paralajmëruar se mund të ketë arrestime të tjera, pasi dyshohet për një rrjet më të gjerë të mbledhjes dhe trafikimit të milingonave në disa qytete. Ky nuk është rasti i parë i tillë në vend. Në maj të vitit të kaluar, një gjykatë keniane dënoi katër persona me burg ose gjobë për përpjekje të ngjashme për kontrabandimin e mijëra milingonave mbretëreshë drejt tregjeve ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: