Më i votuari i listës së hapur të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Ndrec Pjetri, mori pjesë sot në një tryezë diskutimi me intelektualë në Tiranë, të organizuar nga deputeti Ervin Salianji. Gjatë fjalës së tij, Pjetri ngriti shqetësime mbi situatën politike dhe ekonomike në vend, duke e cilësuar atë një krizë të thellë që, sipas tij, po pengon zhvillimin dhe po nxit largimin e qytetarëve. Ai theksoi gjithashtu nevojën për ndryshim brenda Partisë Demokratike, si një hap i domosdoshëm drejt rikthimit të saj në pushtet.
Ndrec Pjetri: Kemi një qeveri e cila pjesën më të madhe ministrat i ka në burg, zv/kryeministrja u kërkua të arrestohej dhe, edhe sot nuk e lejojnë. Kemi një opozitë që nga zgjedhjet në zgjedhje thonë na vodhën. Futemi në garë, bëjmë fushatë, do fitojmë, pas humbjes themi na i vodhi prap. Krizë që nuk po e lë këtë rrugë të marrë drejtim. Jemi në krizë të thellë ekonomike sepse shporta familjare është me e kushtueshme se në Europë, ndërsa kemi rrogat më të ulta në rajon. S’ka standard jetese, po largohet pjesa më e mirë e shoqërisë.
Që kemi të drejtë këtë nuk e vë në diskutim askush, por e drejta kërkon edhe një fuqi imponuese nga pas. Me Ervinin kemi nisur një lëvizje për ndryshimin në PD, sepse besoj se ndryshimi vjen aty ku është mundësia e parë për të ndryshuar që është aseti më i madh kombëtar në opozitë, PD-ja, nga aty besoj dhe gjykoj se vjen ndryshimi i madh për të ardhur në qeveri nesër. Ajo që ne duam të shohim është si bashkësi çfarë jemi. Jemi të rinj dhe të reja që aktivizmin politik e kemi 2013 e këtej, nuk kemi historik mëkatesh ose pozicionesh. Kjo është e veçanta jonë.
