Një qytet i vogël në Francë është bërë viral në internet për shkak të një situate të pazakontë që lidhet me zgjedhjet lokale. Kryetari aktual i bashkisë, Charles Hittler, i cili po kandidon për një mandat të ri, ka tërhequr vëmendje për mbiemrin e tij, ndërsa një nga kundërshtarët quhet Antoine Renault-Zielinski.
Në një intervistë për BBC, Hittler u shpreh se gjatë gjithë jetës ka qenë objekt shakash për emrin e tij, por situata së fundmi ka dalë jashtë kontrollit. “Kam parë artikuj që thonë ‘37% e banorëve janë hitlerianë’. Gruaja ime po qan”, tha ai. Ngjarja ka të bëjë me qytetin Arcis-sur-Aube, në lindje të Paris, ku diskutimi publik është zhvendosur nga programet politike te emrat e kandidatëve.
Hittler shpjegon se mbiemri i tij ka origjinë nga Alsasa veriore, në kufi me Gjermaninë. Babai i tij ishte dërguar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore si pjesë e programit të punës së detyruar. Pas kthimit, familja kishte menduar ta ndryshonte mbiemrin, por procedurat burokratike dhe kostot e larta i penguan.
Sot, shumë pak persona mbajnë këtë mbiemër në Alsasë. Disa anëtarë të familjes kanë zgjedhur ta shqiptojnë ndryshe ose të marrin mbiemra të tjerë për të shmangur reagimet. Nga ana tjetër, kundërshtari i tij, Renault-Zielinski, një oficer dogane 28-vjeçar, ka sqaruar se pjesa “Zielinski” e mbiemrit të tij vjen nga nëna polake dhe nuk ka lidhje me figura të njohura ndërkombëtare. Ai tha se fillimisht mendoi se reagimet në rrjetet sociale ishin shaka, por më pas kuptoi se situata ishte bërë virale.
Të dy kandidatët shprehen se do të preferonin që vëmendja të përqendrohej te çështjet dhe programet për qytetin, dhe jo te emrat e tyre, megjithatë situata ka bërë që Arcis-sur-Aube të jetë në qendër të vëmendjes mediatike.
