Gerta Rada, agjente e pasurive të paluajtshme që punon dhe jeton në Dubai, pohoi se pavarësisht konflikteve në Lindjen e Mesme, jeta aty vijon normalisht. Në një lidhje live për News24, Rada pohoi se njerëzit vijojnë të shkojnë në punë dhe se autoritetet kanë marrë masa për çdo rrezik të mundshëm që vjen nga jashtë, duke neutralizuar raketa apo drone.
Ajo tha se kjo krizë që ka pushtuar vendet e Gjirit Persik nuk e ka prekur këtë sektor, ndërsa çmimet e banesave të përfunduara janë ulur diku te 5 %. Rada tha mes të tjerash se interesi për blerje në Dubai dhe investime vazhdon.
“Mbrëmë dhe sot ka qenë qetësi absolute. Alarm nuk ka pasur. Pasi para se të ketë sulme, ka një alarm dhe më pas vjen një mesazh nga autoritetet. Nuk e kemi ndjerë shumë këtë sikletin. Jeta vijon normalisht. Unë kam më shumë se çdo herë punë, por nuk mund të them se nuk ka punë. Ishim të frikësuar, por ky shtet ka marrë të gjitha masat. Në momentin kur vjen një alarm, duhet të mbyllemi brenda, të rrimë larg dritareve dhe të futemi në dhoma ku nuk ka xhama. Më pas vjen një mesazh tjetër pas 10 minutash ku na falënderon që kemi zbatuar masat. Unë sot jam në punë, nuk i kemi ndërprerë. E gjithë familja ime është kthyer në Gjermani, ka qenë fluturim i rregullt. Paniku te europianët, është. Ndihet mungesa e turistëve, nuk mund të them se Dubai është plot, por vazhdon jeta normale. Por mungojnë njerëzit, turizmi. Çmimet në pasurinë e paluajtshme, duke marrë parasysh pandeminë, çmimet janë ulur rreth 5%. Njerëzit po presin, por nuk ka shumë ulje çmimi. Dubai është për një kohë të gjatë për investime. Gjatë pandemisë u ulën 30% çmimet. Tani nuk shoh ulje çmimesh ekstreme. Ndoshta në të ardhmen mund të ndodhë. Maksimumi mund të ndodhë që të ulet 5% çmimi te banesat e mbaruara. Sa i përket hoteleve apo pushimeve, se di, por ka shumë oferta të mira për Dubain. Edhe kur nuk ndodhte gjë. Karburanti është rritur, por me 50 euro, varet çfarë makine ke, por e mbush plot.”, tha ajo.
