Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë hequr përkohësisht dy zyrtarë të lartë iranianë nga lista e objektivave për eliminim, në një përpjekje për të krijuar hapësirë për negociata të mundshme paqeje me Iran, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë. Sipas tyre, kryetari i Parlamentit iranian Mohammad-Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi janë hequr nga lista për një periudhë të përkohshme prej katër deri në pesë ditë. Ky vendim vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar gatishmëri për bisedime të nivelit të lartë për t’i dhënë fund konfliktit.
Ndërkohë, ndërmjetësues nga Turqia, Pakistani dhe Egjipti po përpiqen të organizojnë një takim mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë për të diskutuar një armëpushim të mundshëm. Megjithatë, burimet thonë se shanset për sukses mbeten të ulëta për shkak të dallimeve të mëdha mes palëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se koha për Iran për t’u ulur në tryezën e negociatave po mbaron. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, deklaroi se SHBA do ta godasin Iranin “më fort se kurrë më parë” nëse nuk pranon t’i japë fund konfliktit.
Që nga fillimi i përshkallëzimit të luftës, Izraeli ka ndërmarrë një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane, duke vrarë disa figura kyçe të regjimit, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei dhe zyrtarin e sigurisë Ali Larijani. Autoritetet izraelite kanë deklaruar se do të vazhdojnë të synojnë udhëheqjen iraniane si pjesë e një strategjie të ashtuquajtur “prerje kokash”, të përdorur më parë kundër Hamasi në Gaza dhe Hezbollahu në Liban.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka përqendruar sulmet e saj kryesisht në instalimet ushtarake iraniane dhe kërcënimet raketore. Presidenti Donald Trump deklaroi më herët se sulmet fillestare ndaj Iranit kishin eliminuar shumë nga pasardhësit e mundshëm të udhëheqjes iraniane. “Ne vramë të gjithë udhëheqjen e tyre dhe më pas ata zgjodhën të rinj, dhe i goditëm sërish”, u shpreh ai, duke shtuar se situata mbetet e hapur për zhvillime të mëtejshme.
