Gazetari Almer Toska ka ngritur akuza të forta në lidhje me hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar situatën si një “rast skandaloz”.

I ftuar në studion e News24, Toska deklaroi se, edhe pse Balluku nuk mban më një rol të drejtpërdrejtë në pushtet, sipas tij ndikimi i saj vijon përmes personave të afërt në qeverisje.

Ai solli si shembull një rast në fshatin Gjoricë, ku pretendon se po zhvillohet një aferë me prona. Sipas gazetarit, një sipërmarrës i identifikuar si Marin Gjonaj, të cilin ai e përshkroi si “broker energjie i afërt me Ballukun”, po përfiton toka kullotash me vendime të këshillit bashkiak për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Toska akuzoi se këto prona janë pjesë jetike e ekonomisë së banorëve lokalë dhe se dhënia e tyre për projekte energjetike përbën, sipas tij, një formë “rrëmbimi” të pronës me mbështetje institucionale. Ai shtoi se procesi përfshin blerjen e një kompanie lokale dhe më pas transferimin e aksioneve për realizimin e projektit.

Në deklaratat e tij, gazetari pretendoi gjithashtu për një bashkëpunim të mundshëm mes aktorëve të përfshirë dhe ish-zyrtares së lartë, duke sugjeruar se projektit i është dhënë “dritë jeshile” në mënyrë të tërthortë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb