Valës së protestave kombëtare që po zhvillohen në kryeqytet i janë bashkuar edhe shumë emigrantë, të cilët kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të ngritur zërin kundër asaj që e quajnë padrejtësi të sistemit shtetëror.
Mes shumë zërave në shesh, News24 ka siguruar dëshminë e një emigranti të ardhur nga Italia, i cili ka denoncuar publikisht humbjen e pronave të tij dhe mbylljen e dyerve nga institucionet e drejtësisë.
Me tone të rënduara emocionale, protestuesi u shpreh se kthimi në atdhe ka qenë një makth për të, pasi pronat e tij janë tjetërsuar dhe asnjë institucion nuk po merr përgjegjësi për të zgjidhur ngjarjen.
“Unë vij në protestë sepse jam emigrant, vij nga Italia dhe më kanë marrë pronat. Shkoj të bëj denoncim, nuk ma marrin as denoncimin”, tha ai i revoltuar përpara mediave.
Sipas tij, e vetmja shpresë që i ka mbetur për të ndryshuar gjendjen e tij dhe të qindra qytetarëve të tjerë që ndodhen në të njëjtën situatë është qëndresa në shesh dhe ndryshimi i sistemit qeverisës. “Vetëm përmes kësaj proteste, që të rrëzohet ky pushtet, përndryshe jam i vdekur”, u shpreh ai me dëshpërim.
