Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro u lirua nga spitali të premten dhe u transferua në shtëpinë e tij, ku do të kalojë të paktën tre muaj nën atë që autoritetet e përshkruan si “arrest shtëpiak humanitar”.
Bolsonaro, 71 vjeç, po vuan një dënim me 27 vjet burg që nga nëntori për komplotimin e një grushti shteti pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 ndaj Presidentit aktual Luiz Inacio Lula da Silva.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, më herët këtë javë i dha Bolsonaros leje për të vuajtur arrestin shtëpiak për 90 ditë për shkak të shqetësimeve shëndetësore. Ish-presidenti i ekstremit të djathtë do të rivlerësohet pas kësaj periudhe për të përcaktuar nëse masa duhet të zgjatet.
Bolsonaro, i cili udhëhoqi Brazilin midis viteve 2019 dhe 2022, u pranua në fillim të këtij muaji në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali në Brasilia me një formë akute të pneumonisë dhe u trajtua me antibiotikë.
“Progresi i tij gjatë dy ditëve të fundit ka qenë ai që prisnim – i qetë, pa asnjë ndërlikim”, u tha gazetarëve mjeku i tij, Brasil Caiado.
Bolsonaro ka pasur një histori të shtrimeve në spital dhe ndërhyrjeve kirurgjikale që kur u godit me thikë në bark gjatë një eventi fushate në vitin 2018. Caiado tha se ish-presidenti do të kthehet në spital për një operacion në shpatull në fund të prillit.
