Një incident i pazakontë ka ndodhur në Staten Island të New York-ut, ku një burrë mbijetoi pasi u godit nga rrufeja vetëm pak metra larg makinës së tij. Ngjarja ndodhi të enjten e 27 gushtit në rrugën Todd Hill, pranë Windsor Road. Thomas Fami po ecte në rrugë kur rrufeja e goditi dhe ai u rrëzua menjëherë në tokë. Momenti i frikshëm u kap nga një kamera sigurie.

Fami tregoi se pas goditjes përjetoi dhimbje të forta, djegie, ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje në të dyja këmbët. Pavarësisht fuqisë së goditjes, ai nuk humbi ndjenjat. Pas pak çastesh arriti të ngrihej dhe shkoi drejt një banese aty pranë për të kërkuar ndihmë.

Stephanie Homan, banore e zonës, tha se dëgjoi thirrjet për ndihmë dhe doli menjëherë nga shtëpia.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by NBC News (@nbcnews)

“Dëgjova ‘ndihmë, ndihmë’, kështu që vrapova te dera dhe e pashë të shtrirë në tokë”, tregoi ajo. Fami nuk pësoi djegie të dukshme apo dëmtime të rënda, por u transportua në Spitalin Universitar të Staten Island, ku qëndroi nën vëzhgim gjatë natës. Ai u largua nga spitali të nesërmen.

Burri, i cili punon në zyrën e përfaqësueses amerikane Nicole Malliotakis, e cilësoi ngjarjen si një kujtesë të fortë për vlerën e jetës. “Vlerësoje jetën, buzëqesh dhe merr frymë ajër të pastër herë pas here dhe mos e lejo jetën të të mposhtë”, u shpreh ai. Edhe Malliotakis shprehu lehtësim për faktin që Fami i mbijetoi incidentit dhe falënderoi personat që i dhanë ndihmën e parë, si dhe stafin mjekësor. Sipas të dhënave të cituara nga autoritetet amerikane, rreth 37 milionë rrufe regjistrohen në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Megjithatë, probabiliteti që një person të goditet nga rrufeja është më pak se një në një milion dhe rreth 90% e personave të goditur mbijetojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: