Muzeu i ri Arkeologjik i Institutit të Arkeologjisë do të jetë nëntokësor. Pas një VKM-je që angazhon Fondin Shqiptar të Zhvillimit të ndjekë procesin, Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja tha për gazetarët se muzeu do të strehojë artefaktet.

“Është një lajm i mirë që qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që po ndërton një parkim nëntokësor do të bëjë një muze nëntokësor për artefaktet e Instituti të Arkeologjisë. Kjo është e rëndësishme edhe për një qytet që pret më shumë turistë”, tha ministri.

Aktualisht nuk është e qartë se cila do të jetë hapësira që do zërë, pasi nisma siç duket është në fazën fillestare dhe ende nuk është bërë projektimi.

“Si muze do kalojë gjithë nivelet e miratimit të Këshillit Kombëtar të trashëgimisë dhe Këshillit të Muzeve dhe këtu është përfshirja jonë në tagrin e ministrisë, sa i takon kësaj pjese të aprovimit të muzealizimit e certifikimit. Sot atje ka një muze të vogël, të improvizuar, që ka një ambient për të cilin prej kohësh, Akademia e shkencave ka kërkuar kthimin në muze”, shtoi Gonxhja.

Ndërsa me daljen e VKM-së u ngritën shqetësime sa I takon hapësirave mbi tokë të Instituteve albanologjike, fatit të tyre në të ardhmen, pra zonës së rektoratit dhe hapësirave të ish Akademisë Albanologjike, Gonxhja, sqaroi:

“Nuk ka rrezik, as kanosje të ambienteve që janë në përdorim nga institucionet aktualisht. Nuk ka asnjë lloj situate për ambientet mbi tokë. Sa i takon magazinave që janë duke u përdorur për të mbajtur këto inventare, ato mund të jenë pjesë e një rishikimi, por kjo do të bëhet me kujdes ndaj vetë objektit që është monument kulture në vetvete”, tha ministri.

Në konferencën për mediat, Gonxhja foli për rritje buxhetesh dhe të ardhurash në institucionet e kulturës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb