Triumfi në Bratislavë dhe festa që pasoi do të mbeten gjatë në kujtesën e Kosovës. Por për “Dardanët”, tashmë fokusi është te sfida më e madhe në histori.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda po përgatitet me intensitet maksimal për finalen e play-off-it ndaj Turqisë. Një ndeshje që mund të shkruajë faqen më të artë të futbollit kosovar. Takimi i 31 marsit në Stadiumi Fadil Vokrri vlen një biletë për në Botërorin 2026, dhe kjo është një mundësi që nuk të vjen çdo ditë. Një ëndërr që tashmë bashkon jo vetëm tifozët në stadium, por shqiptarët kudo në botë.

Në seancën e fundit stërvitore në Prishtinë, trajneri Foda kishte në dispozicion të gjithë grupin. Lajm i mirë për “Dardanët”është fakti se deri më tani nuk rezulton të ketë asnjë problem fizik, ndërsa rikthehet edhe Lumbardh Dellova, pas shlyerjes së kartonëve.

E marta në mbrëmje do të sjellë atë që konsiderohet “ndeshja e jetës” për Kosovën. Përballë do të jetë Turqia e drejtuar nga Vincenzo Montella, në një duel ku në lojë është një kualifikim historik për në Botërorin e SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës.

Mbështetja për skuadrën nuk mungon. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ekipin përpara kësaj përballjeje, duke i inkurajuar lojtarët dhe stafin teknik. Ai theksoi se kjo është një mundësi që historia e Kosovës të prezantohet para gjithë botës, duke shtuar se pas skuadrës qëndron një komb i tërë. Kujtojmë që kryeministri i Kosovës ka premtuar një shpërblim prej 1 mln eurosh në rast të një kualifikimi të mundshëm në botëror.

Tani gjithçka është gati. Një ndeshje, një ëndërr, një histori që pret të shkruhet. Kosovës i duhet vetëm një hap për të hyrë në elitën e futbollit botëror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: