Zbardhen të tjera detaje nga seanca gjyqësore që po mbahet në themel për dosjen Veliaj dhe 29 të tjerë. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb disa prej kërkesave të bëra nga avokatët e të pandehurve lidhur me procedurat gjyqësore dhe ndarjen e çështjes.
Avokati Sokol Hazizaj, që përfaqëson shoqërinë Kontakt dhe Fatmir Bektashin nënvizoi se në seancën e kaluar kishte kërkuar ndarjen e çështjes dhe gjykim me procedurë të shkurtuar. Prokurori Ols Dado u shpreh se më parë duhet të shqyrtohen kërkesat paraprake të mbrojtjes para se të kalojnë tek gjykimi i shkurtuar.
Gjykata vendosi të dëgjojë kërkesat paraprake të mbrojtjes për t’i vlerësuar në mënyrë të plotë. Kristina Marku, në cilësinë e avokates së Ina Goxhës kërkoi gjykim të shkurtuar dhe veçimin e çështjes për të pandehurit që nuk mund të jenë pjesë e një gjykimi me shumë të pandehur, duke theksuar se disa prej tyre ndodhen në gjykim të zakonshëm. Ivi Rrokaj, që mbron interesat e të pandehurës Flutura Xhani, kërkoi gjithashtu gjykim të shkurtuar, ndarjen e çështjes dhe dërgimin e saj për gjykim në një tjetër gjykatë, pasi sipas tij kjo gjykatë nuk ka kompetencë.
Po ashtu, edhe avokati Henrik Ligori, që përfaqëson ish-deputeten Klotilda Bushkën, nënvizoi se klientja e tij nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka konsideruar të pambështetur në prova dhe fakte. Ai kërkoi gjykim të shkurtuar, ndarje të çështjes dhe dërgimin e saj në një tjetër gjykatë, duke sjellë edhe dokumente që tregojnë se Bushka nuk është më deputete. Avokati Lulzim Bajramemaj, që përfaqëson të pandehurën Frosina Bollo dhe shoqërinë e saj, kërkoi gjithashtu gjykim të shkurtuar dhe ndarje të çështjes në vijim të procedurës.
Avokati Plarent Ndreca nga ana tjetër deklaroi se; “Të mbrojturit prej meje i mungojnë 24 fashikuj, ne jemi pa akte dhe nuk mund të bëjmë një mbrojte efektive.”.
