Kryeministri Edi Rama deklaroi se është shumë e rëndësishme ngritja e një sistemi të ri për procesin e legalizimeve në vend.
Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, Rama theksoi gjithashtu nevojën që pushteti vendor të ofrojë më shumë mbështetje për qytetarët në raport me Kadastra.
“Element tjetër është mungesa e një angazhimi uniform të bashkive për legalizimet. Bashkitë është e nevojshme të angazhohen në këtë proces. Për institucionin e kadastrës kemi lenë porosi të hartojnë planet prioritare të legalizimit, duke vendosur një sistem. Për të vendosur se ata që kanë aplikuar më parë, duhet të marrin përgjigje më parë se kush ka aplikuar më pas. Duhet të përcaktohen zonat prioritare, për të pasur një punë më të mirë dhe të koordinuar.
Bashkitë gjithashtu duhet të hapin një zyrë juridike të kadastrës. Ka shumë ankesa për kadastrën dhe këto vijnë si rezultat i kryerjes së aplikimeve në mënyrë jo korrekte ligjore.
Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë juridike për kadastrën dhe legalizimin, sepse kjo do të lehtësojë qytetarët për të kryer një aplikim në kadastër apo për legalizime.
Njësitë administrative kanë hapur zyrat për t’u shërbyer qyteteve për aksesin në e-Albania. Por jo në të gjitha bashkitë kjo gjë është e organizuar mirë për qytetarët. Kjo sjell që duke qenë shërbimi falas qytetarët të shkojnë të paguajnë për të aksesuar e-Albania”, tha ai.
