Ivan Gvozdenovic, numri një i stolit të Elbasanit, tregoi këndvështrimin e tij para Dinamos.
“Si gjithnjë jemi gati dhe grupin e kemi të plotë, përpos atyre që dihen tanimë që mungojnë për shkak të dëmtimeve. Do kryejmë edhe stërvitjen e fundit për të vendosur ato detajet e fundit para një ndeshjeje. Si gjithnjë, edhe ndaj Dinamos do shkojmë të luftojmë fort në fushë dhe të bëjmë maksimumin. Ky është synimi ynë në çdo ndeshje dhe detyra që i kemi vënë vetes. Për rezultatin mund të flitet vetëm pas ndeshjes, por ne hyjmë për të dhënë maksimumin”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit para duelit delikat me Dinamon.
MUNGESAT – Ne vijim, tekniku serb i Elbasanit ndalet edhe tek mungesat për shkak dëmtimesh, duke theksuar se forca e Elbasanit është grupi dhe ka besim tek ata që do të zbresin në fushë. “Kemi vuajtur nga mungesat, por kjo është situata dhe detyra jonë është të përshtatemi. Unë kam besim tek të gjithë lojtarët dhe deri tani të gjithë ata që kanë luajtur kanë bërë paraqitje të mira. Kemi treguar se jemi një grup i fortë. Me ose pa mungesa ne hyjmë në fushë të përballojmë ndeshjet me grupin që kemi dhënë deri tani ia kemi dalë”, vijoi më tej Ivan Gvozdenoviç.
GARA PËR TITULL – Në fund, Gvozdenoviç ndalet tek gara për titull në këto javë të fundit, ku vlerëson kundërshtarët, por Elbasani do t’ia bëjë yzmetin deri në fund. Gjithsesi, fokusi i tij primar është ndeshja e radhës. “Ne do luftojmë. Nuk mund të flas tani për këtë çështje. Tani fokusi im edhe i skuadrës është ndeshja e radhës me Dinamon, një kundërshtar i fortë që kemi shumë respekt. Kanë mbetur edhe shtatë javë, çdo javë do flasim vetëm për kundërshtarin që kemi përballë. Çdo javë për ne është kthyer në një finale. Ajo që di të them është se ne kemi besim dhe mendojmë pozitivisht. Verdiktet më pas i jep fusha dhe shohim në fund se ku do të arrijmë”, mbylli prononcimin e tij për mediat tekniku i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç. Elbasani vjen përpara këtij dueli me petkun e skuadrës që kryeson me pikë të barabarta me Vllazninë, duke synuar që këtë pozicion të mos e lëshojë as pas kësaj jave.
