Jos Vershtapen ka reaguar ashpër ndaj Gunther Steiner pas komenteve të këtij të fundit për Maks Vershtapenin dhe rregulloret e reja të Formula 1. Ish-shefi i ekipit dhe aktualisht drejtues te Tech3 KTM në MotoGP, u tall me Maks Vershtapenin për kritikat e tij ndaj rregulloreve të reja.

Por përgjigjja e babait të katër herë kampionit botëror nuk ka kaluar pa u vënë re. Debati nisi kur Maksi kritikoi rregullat e reja teknike të F1, duke i quajtur ato “Formula E me steroidë”.

Steiner, në podkastin “Red Flags”, iu përgjigj me ironi: “Vershtapen ishte pak më i lumtur në Kanada sepse ishte në podium”, duke shtuar se reagimet e tij varen nga rezultatet në pistë. Ai vijoi me një tjetër koment sarkastik: “Gjithçka ka të bëjë me ta bërë Maksin të lumtur në F1”, duke lënë të kuptohet se ndryshimet e rregullave lidhen me preferencat e kampionit holandez.

Këto deklarata u interpretuan si kritikë ndaj Vershtapenit, i cili këtë sezon ka pasur një performancë më të dobët dhe ndodhet në vendin e shtatë me 43 pikë, larg kreut të kampionatit. Në përgjigje, Jos Vershtapen reagoi në rrjetin social “X”, duke thënë: “Përshëndetje, Gunther. Është bërë shumë e qartë pse nuk je më shef ekipi në F1. Mënyra se si flet”.

Ai i referohej faktit që Steiner është larguar nga Formula 1 dhe aktualisht është aktiv në MotoGP, duke sugjeruar se komentet e tij nuk kanë më të njëjtën peshë brenda “paddock”-ut të F1. Debati mes tyre pasqyron tensionet e zakonshme në Formula 1, ku deklaratat publike shpesh shndërrohen në përplasje të hapura verbale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb