Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të shtunën një burrë, për të cilin dyshojnë se kishte kryer krime të luftës kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99. Në një njoftim për media, Prokuroria Speciale e identifikoi të dyshuarin vetëm me inicialet A.D., dhe tha se ai dyshohet t’i ketë kryer krimet e pretenduara në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të qytetit jugor të Kosovës, Kaçanik.
Prokuroria nuk tregoi se ku ishte kapur ai, por tha se gjatë arrestimit të tij ka gjetur dhe sekuestruar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie ajrore dhe një uniformë të MUP-it, me sa duhet duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Autoritetet nuk dhanë më shumë hollësi rreth të dyshuarit apo krimeve të dyshuara. Arrestimi i tij vjen pak javë pasi një gjykatë në Prishtinë i dënoi me burgim dy ish-pjesëtarët të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99.
Gjykata në Prishtinë i dënoi më 18 mars Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim gjatë një seance javën e kaluar.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë./REL
