Partizani pret ditën e sotme në “Arenën e Demave”, Vllazninë, një ndeshje kjo që do të startojë duke nisur nga ora 17:00, ndërsa është e vlefshme për javën e 30-të të Kategorisë Superiore.
Partizani vjen nga një moment i mirë në këtë sezon teksa të kuqtë nuk humbasin prej tetë ndeshjesh duke regjistruar pesë fitore dhe tre barazime. Disfata e fundit e kryeqytetasve është pikërisht ndaj Vllaznisë në Shkodër me rezultatin 1-0. Nga ana tjetër, kuqeblutë kanë pasur disa luhatje në takimet e fundit, teksa në tre sfidat e fundit nuk kanë mundur të marrin tre pikët e plota duke regjistruar një humbje ndaj Flamurtarit e më pas dy barazime radhazi ndaj Egnatias dhe Dinamos.
Megjithatë, të besuarit e trajnerit Edi Martini ia kanë dalë që pavarësisht këtyre ndalesave të ruajnë vendin e parë në tabelën e renditjes me 53 pikë. Por, nga këto hapa fals ka përfituar Partizani që është në nëntë pikë distancë nga shkodranët në vendin e katërt, dhe në rast të një triumfi ditën e sotme, mund të bëjë që më pas diferenca të minimizohet edhe më tepër, ndërsa kujtojmë se përgjysmimi i pikëve në fazën e “Final Four” lejon më pas të kuqtë që të sulmojnë Vllazninë për titullin. Ndaj, në “Arenën e Demave”, pritet një ndeshje mjaft e luftuar duke qenë se në lojë do të jetë objektivi më i rëndësishëm për secilën skuadër.
E vërteta është se në këtë sezon, Partizani nuk ka mundur që ta mposhtë Vllazninë teksa në tre ndeshje mes tyre, shkodranët kanë fituar dy takime (4-1 dhe 1-0) dhe një tjetër është mbyllur në barazim pikërisht në kryeqytet në “Arenën e Demave” me shifrat 1-1. Gjithsesi, secili takim është një histori më vete dhe Partizani do të tentojë të nisë të shkruajë pjesën më të rëndësishme të historisë në momentin më vendimtar të sezonit, pasi siç e theksuam më lart, një trepikësh në këtë ndeshje do të katapultonte të kuqtë në pretendetë për titullin, por edhe duke i dhuruar qetësi për vazhdimësinë e kampionatit duke i mbajtur në distancë sigurie nga vendi i pestë që mbahet nga Dinamo, teksa bonusi tjetër do të ishte psikologjik që është mjaft i rëndësishëm në futboll.
Kështu, të gjitha premisat janë që dy skuadrat të dhurojnë një performancë fantastike në “Arenën e Demave” dhe ta kthejnë këtë të shtunë pasdite në një festë të futbollit teksa pritet edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh si nga ata vendas, e po ashtu edhe nga ata nga Shkodra që nuk e kanë lënëv vetëm këtë sezon skuadrën as në transfertë.
