Qeveria e Gjermania ka miratuar rregulla të reja që prekin burrat e moshës 17 deri në 45 vjeç, të cilët mund të duhet të aplikojnë për leje nëse planifikojnë të qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se tre muaj.

Masat janë pjesë e ligjit të ri për shërbimin ushtarak vullnetar, që ka hyrë në fuqi më 1 janar, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen kombëtare pas rritjes së shqetësimeve për sigurinë në Evropë, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas Ministria Gjermane e Mbrojtjes, çdo burrë mbi 17 vjeç duhet të marrë miratim paraprak për qëndrime të zgjatura jashtë vendit. Autoritetet theksojnë se këto miratime pritet të jepen normalisht, megjithëse mbetet e paqartë se si do të trajtohen shkeljet.

Një zëdhënës i ministrisë deklaroi se qëllimi kryesor është krijimi i një sistemi të besueshëm regjistrimi ushtarak. “Në rast emergjence, duhet të dimë se kush ndodhet jashtë vendit për një periudhë të gjatë”, u shpreh ai.

Ligji i ri parashikon gjithashtu rritjen e numrit të trupave të Bundeswehr në rreth 260 mijë deri në vitin 2035, nga rreth 180 mijë që janë aktualisht.

Në dhjetor, parlamenti gjerman miratoi futjen e një sistemi vullnetar rekrutimi, ku të gjithë 18-vjeçarët marrin një pyetësor për të shprehur interesin për shërbim ushtarak. Nga korriku i vitit 2027, pritet të nisë edhe vlerësimi i aftësisë fizike për të rinjtë, në rast nevoje për mobilizim.

Edhe pse shërbimi mbetet vullnetar, autoritetet nuk përjashtojnë rikthimin e detyrimit të përgjithshëm nëse situata e sigurisë përkeqësohet. Kujtohet se Gjermania e hoqi shërbimin e detyrueshëm në vitin 2011, gjatë qeverisjes së Angela Merkel.

Kancelari aktual, Friedrich Merz, është zotuar për forcimin e ushtrisë, me synimin për ta bërë atë forcën më të fuqishme konvencionale në Evropë.

Megjithatë, ndryshimet kanë shkaktuar reagime të forta në publik. Shumë të rinj kanë protestuar kundër masave, duke kundërshtuar idenë e një angazhimi më të madh ushtarak dhe frikën për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm.

Gjermania, ashtu si shumë vende evropiane, reduktoi ndjeshëm ushtrinë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por zhvillimet e fundit ndërkombëtare po e shtyjnë drejt një rritjeje të ndjeshme të kapaciteteve mbrojtëse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb