Kryetarja e Komisionit të Turizmit, Kulturës dhe Diasporës, Ina Zhupa, gjatë takimit me operatorët turistikë në Sarandë, ka evidentuar shqetësimet kryesore që u ngritën që dëmtojnë drejtpërdrejt turizmin.
Nga mungesa e ujit të pijshëm, investimet e pamjaftueshme në port duke mos lejuar ankorimin e krocerave, problemet me infrastrukturën, parkimet dhe konkurrencën e pandershme te agjencive të palicensuara.
Zhupa theksoi se pa ndërhyrje konkrete nga qeveria, zhvillimi i turizmit në Sarandë mbetet i rrezikuar dhe pse qyteti është një nga perlat e vendit.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Takim me operatorët turistikë në Sarandë!
Saranda është një nga perlat më të bukura të turizmit shqiptar, por sot operatorët turistikë po përballen me probleme reale që po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe zhvillimin e turizmit.
Në vitin 2026 është e papranueshme që ende të diskutojmë për mungesën e ujit të pijshëm. Turizëm cilësor pa ujë nuk mund të ketë. Ky është një premtim elektoral i përsëritur ndër vite, por i pambajtur.
Porti i Sarandës ka nevojë për investime. Që prej vitit 2013, kur u ndërtua kalata 180 metra, nuk ka pasur asnjë investim serioz. Sot, kroçerat nuk mund të ankorohen siç duhet. Ndërkohë, Korfuzi pret rreth 620 kroçera në sezon, ndërsa Saranda vetëm rreth 20. Një investim strategjik për zgjerimin e kalatës në të paktën 600 metra është jetik për zhvillimin e turizmit detar.
Infrastruktura turistike lë për të dëshiruar.Rruga për në Kalanë e Lëkurësit mbetet e amortizuar, duke mos reflektuar potencialin që ka kjo pikë panoramike. Tek 40 Shenjtorët mungon infrastruktura rrugore dhe kështu kudo nëpër pika të trashëgimisë kulturore.
Saranda është sot një qytet pa parkime të mëdha publike apo private. Gjatë sezonit, trafiku dhe mungesa e parkimit kthehen në një problem serioz për turistët dhe banorët.
Agjencitë e palicencuara po lulëzojnë, kryesisht nga aktiviteti në rrjetet sociale. Ato dëmtojnë operatorët e rregullt që paguajnë taksa dhe krijojnë abuzime me çmimet, për shkak të mungesës së kontrollit.
Filiali i Sarandës, i Universitetit të Tiranës, duhet të fokusohet më shumë në degë të lidhura me turizmin, guidat turistike dhe menaxhimin e mikpritjes. Kjo do të krijonte profesionistë të kualifikuar për tregun lokal që sot është mungesa kryesore.
Qyteti është i bekuar me bukuri natyrore dhe potencial të jashtëzakonshëm. Por pa investime serioze nga pushteti qendror dhe ai lokal, këto probleme po kthehen në pengesë për zhvillimin e saj.
Është koha për veprime konkrete, jo premtime të përsëritura. Turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe Saranda meriton vëmendje të veçantë.
