Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet dhe aktivitetin e SPAK, duke theksuar rolin e fortë të partnerëve ndërkombëtarë dhe ndryshimet në strategjinë e institucionit.

Sipas Llabanit, në SPAK janë të përfshirë edhe ekspertë të huaj, kryesisht amerikanë, duke kontribuar në hetime. Ajo shtoi se vende si Anglia, Franca, Italia dhe Belgjika dërgojnë vazhdimisht informacione për grupe kriminale, të cilat përfshijnë jo vetëm individë të botës së krimit, por edhe zyrtarë policie dhe politikanë.

Ajo theksoi se, pavarësisht perceptimit për një qetësi të momentit, SPAK po punon dhe po zgjeron hetimet në nivele më të larta.

Duke u ndalur te drejtuesit e institucionit, Llabani u shpreh se Klodian Braho po ndjek një strategji të re pune, por që mbetet në vazhdën e linjës së ndërtuar nga ish-kreu i SPAK, Altin Dumani. Sipas saj, ndryshimi qëndron te prioritetet dhe koha më e gjatë që do të kërkojnë hetimet për shkak të kompleksitetit të çështjeve.

Gazetarja nënvizoi se shumë procese lidhen me figura politike, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, çka e bën punën më të ndërlikuar.

Ajo shtoi se një numër i konsiderueshëm zyrtarësh dhe personash të lidhur me qeverisjen janë parë duke hyrë dhe dalë nga dyert e SPAK, ndërsa disa prej tyre janë marrë në pyetje në cilësinë e personave nën hetim.

Në përfundim, Llabani la të kuptohet se hetimet pritet të thellohen edhe më tej, ndërsa SPAK po shtrin gradualisht “tentakulat” në nivele të ndryshme të politikës dhe administratës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb