Gazetarja Anduena Llabani ka deklaruar se nga dosja e SPAK ndaj Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë dalë të dhëna që çojnë në fraksione të tjera të hetimit.

E ftuar në News24, duke komentuar “heshtjen” që ka karakterizuar Prokurorinë e Posaçme gjatë kësaj kohe, ajo theksoi se hetimet vazhdojnë dhe se nga dosjet e bujshme si ajo e Ballukut, e ish deputetit socialist Jurgis Çyrbja, Partizani apo Gërdeci kanë dalë shumë fraksione që janë në hetim.

“Bazuar në trendin e viteve, SPAK ka kaluar hetimet periferike dhe ka ardhur në qendër dhe dosjet janë afatgjata dhe komplekse dhe fakti që po heshtin dmth se nuk po veprojnë. Unë mendoj se realisht është më e arsyeshme të pritet, të vazhdojnë hetimet për çështje të reja. Them me bindje se shumë procese të nisura kanë fraksione, çka dmth të tjera të dhëna kanë dalë nga dosja Balluku, Çyrbja, Partizani, Gërdeci, dmth se shumë fraksione janë akoma në zhvillim. Vazhdimi i hetimeve dhe çështjeve të reja, jo domosdoshmëisht do të jetë e menjëhershme. Shumë procese do të jenë në vazhdim.”, u shpreh ajo.

Duke u ndalur specifikisht te rasti i Belinda Ballukut, gazetarja u shpreh se ish zëvendës kryeministrja nuk ka vepruar e vetme dhe se nga dosja e saj, të dhënat shtrihen përtej, dhe mund të prekin edhe zyrtarë të tjerë.

“Me rastin e Ballukut, SPAK mori mësim të mirë se si duhet të ketë qasje të gjykatat më të larta, te Kuvendi dhe te aktorë të tjerë që e monitorojnë SPAK. Unë mendoj që pavarësisht hetimeve që vazhdojnë, Balluku thjesht ka marrë kohë, por SPAK nuk ka gabuar. E vetmja gjë që SPAK i ka dhënë Ballukut dhe personave të tjerë të përfshirë ka qenë koha. Nuk besoj se SPAK ka mundur mundësitë për të hetuar një zyrtar të lartë.

Duhet të shohim fundin se si do të shkojë SPAK në raport me përfundimin. Mendoj se jemi në mes. Çështja Balluku, edhe për shkak të impaktit, shumë hetime dhe të dhëna që kanë rezultuar nga dosja kanë çuar në fraksione të tjera të hetimit. Balluku nuk është e vetme në këtë gjë. U fol në atë kohë për bashkëpunim por pati kërcënim ndaj prokurorëve. U fol për një kërkesë absolute të prokurorëve për arrestimin e menjëherëshëm të Ballukut, por pamë që elementi që e bën SPAK-un akoma të pavarur duket se vazhdon të jetë politika. “, shtoi ajo.

Ajo përmendi se e ka thënë edhe më herët që do të ishte Gjermania, vendi i cili do të reagonte kundër qasjes së socialistëve ndaj çështjes Balluku.

“Kur Rama u thirr në Bruksel për të raportuar në lidhje me angazhimet e qeverisë për anëtarësimin në BE, unë kam thënë që Gjermania do të jetë shteti që do të ankohet i pari për mënyrën se si është qasur politika në çështjen Balluku. Dhe pamë që Gjermania ishte më kryeneçe që tha se ky institucion duhet të jetë i lirë”, shtoi gazetarja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb