Ditën e sotme u mbajt dëgjesa e parë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, ku i ftuar ishte ministri për pushtetin vendor, Ervin Demo. Në këtë seancë, bashkëkryetari i komisionit, deputeti i Partisë Demokratike Luciano Boçi, paraqiti një analizë mbi reformën ekzistuese dhe drejtimin që po merr procesi i ri.
Boçi theksoi se reforma territoriale nuk është një çështje teknike, por një proces që prek drejtpërdrejt përfaqësimin e qytetarëve, cilësinë e shërbimeve dhe vetë funksionimin e demokracisë lokale. Sipas tij, çdo reformë e re duhet të nisë nga një analizë e ndershme e modelit aktual dhe nga përgjigjet për disa pyetje themelore: a është afruar pushteti me qytetarin, a është rritur autonomia vendore dhe a janë shmangur pabarazitë mes bashkive.
“Pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, çdo reformë rrezikon të jetë thjesht një përsëritje e gabimeve,” – u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Boçi hodhi poshtë argumentin se problemet burojnë vetëm nga “arkitektura territoriale”, duke theksuar se thelbi i dështimit lidhet me keqqeverisjen dhe centralizimin e kompetencave. Ai evidentoi se një sërë ligjesh të miratuara ndër vite kanë cenuar autonominë e pushtetit vendor, duke i marrë funksione dhe burime financiare bashkive dhe duke krijuar varësi nga qeveria qendrore.
Sipas tij, pas 10 vitesh nga reforma e vitit 2015, rezultatet janë të qarta: shpopullim masiv, mungesë shërbimesh dhe përfaqësim i dobët në zonat periferike. Boçi theksoi se shumë komunitete sot janë lënë pa akses real në shërbime bazike, ndërsa distanca fizike dhe institucionale me qytetarin është rritur ndjeshëm.
“Kur shteti largohet, qytetari largohet. Dhe kur qytetari largohet, territori vdes,” – deklaroi ai, duke e cilësuar situatën si një alarm kombëtar.
Ai solli në vëmendje edhe të dhënat e fundit, sipas të cilave mbi 90% e bashkive kanë pësuar rënie të popullsisë, ndërsa më shumë se gjysma e qytetarëve janë përqendruar në vetëm disa bashki të mëdha, duke dëshmuar dështimin e zhvillimit të balancuar territorial.
Boçi ngriti gjithashtu shqetësimin për modelin që po promovohet nga qeveria, i cili synon konsolidim territorial dhe reduktim të numrit të bashkive. Sipas tij, ky model rrezikon të rrisë më tej distancën mes qytetarëve dhe shërbimeve, sidomos në zonat malore dhe periferike, duke shkelur edhe standardet europiane të aksesit.
Në përfundim, ai kërkoi një reformë që vendos në qendër qytetarin, garanton përfaqësim real dhe fuqizon autonominë vendore, duke shmangur çdo qasje të njëanshme apo të imponuar politikisht.
“Ne nuk kemi nevojë për një reformë mbi hartë, por për një reformë që i shërben qytetarit,” – përfundoi Boçi.
