26-vjeçarI Agustjan Hyka është vënë në pranga në Tiranë, pasi dyshohet se ka kryer një seri vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje, ndërkohë që ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas hetimeve, gjatë muajit prill 2026 I riu ka grabitur shuma parash dhe produkte në katër subjekte tregtare, si dhe ka tentuar të kryejë vjedhje në një banesë dhe në një tjetër biznes.

Verifikimet zbuluan se i riu ndodhej në “arrest në shtëpi” për veprën penale “dhuna në familje”, çka e rëndon më tej pozitën e tij ligjore.

Njoftimi:

Tiranë/ Finalizohet operacioni i koduar “Penaliteti”, për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe, gjatë muajit mars, kreu 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, vihet në pranga 26-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa shtetasve/administratorëve të subjekteve për vjedhje të pronës dhe pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Penaliteti”, gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i disa rasteve në këtë fushë, shtetasi A. H., 26 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se 26-vjeçari, gjatë muajit prill 2026, ka vjedhur shuma parash dhe produkte në 4 subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë dhe në një subjekt.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi A. H.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb