Në kulmin e krizës dhe debatit në lidhje me të ardhmen e futbollit italian, ende pa u zgjidhur se cili do të jetë pasuesi i Gabriele Gravina-s në krye të Federatës, të gjithë të dhënat e tjera të dërgojnë në një përfundim, sot për sot, Antonio Conte është kandidati favorit për të marrë drejtimin e ekipit përfaqësues. Për të ndezur dhe më shumë këtë hipotezë mendoi presidenti De Laurentiis, i cili shtoi se nëse Conte do t’i kërkonte të largohej do ta linte të lirë. Pikërisht ky detaj mori edhe faqen e parë të La Gazzetta dello Sport: “Të gjithë thonë Conte”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë.

Sigurisht, ky diskutim do të marrë pak më shumë kohë, pasi fillimisht as De Laurentiis e as Conte nuk dëshirojnë t’i japin më shumë zë këtij diskutimi në një kohë kur ekipi është ende në garë në Serie A. E rëndësishme në këtë pikë janë disa detaje.
E para, Conte u shpreh i hapur për një rikthim në krye të Italisë, në fakt këtë e ka thënë edhe kohë më parë pasi u largua nga ekipi përfaqësues: “Një ditë do të rikthehem”, u shpreh atë kohë Conte. Mbase ky është pikërisht momenti. E dyta, Conte është nën kontratë me Napolin deri në 2027, por De Laurentiis u shpreh i gatshëm ta lë të lirë. E treta, në këto kushte është e vështirë që Italia të gjejë një trajner, një profil më të lartë, se sa Antonio Conte.
I vetëdijshëm për dëshirën e Contes, De Laurentiis dhe mediat italianë kanë nisur që tani punën për të kuptuar se kush mund të jetë pasuesi i tij në krye të Napolit. Kandidati kryesor është Thiago Motta, i papunë që pas largimit nga Juventus. Në listë pritje janë edhe emra të tjerë si Fabio Grosso, Vincenzo Italiano dhe Daniele de Rossi.
