Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke akuzuar mazhorancën për bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita.
Sipas saj, ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese e pakicës parlamentare, e garantuar përmes kërkesës së një të katërtës së deputetëve.
“Komisionet hetimore mbahen peng. E drejta e ¼ të deputetëve për t’i kërkuar është e sanksionuar në Kushtetutë dhe Kuvendi ka detyrimin t’i ngrejë ato,” u shpreh Xhixho, duke shtuar se ekziston edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që ndalon mazhorancën të bllokojë këtë mekanizëm.
Ajo u ndal veçanërisht te komisioni hetimor për infrastrukturën rrugore, një nismë e Partisë së Lirisë e mbështetur nga Partia Demokratike, i cili sipas saj u rrëzua padrejtësisht.
Deputetja ngriti shqetësime mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve për rrugët, duke theksuar se janë shpenzuar mbi 4 miliardë euro në infrastrukturë, ndërkohë që sipas saj problematikat mbeten të shumta.
“Në një kohë kur zona të tëra bllokohen, siç ndodhi në juglindje, dhe kur projekte si tuneli i Llogarasë shfaqin probleme serioze, lind nevoja për hetim se ku kanë shkuar këto para dhe si janë realizuar tenderimet,” deklaroi ajo.
Gjithashtu, Xhixho kritikoi edhe refuzimin e ngritjes së komisionit hetimor për çështjen e AKSHI-t, duke e cilësuar atë si një aferë me ndjeshmëri të lartë.
Sipas saj, institucioni që ishte promovuar për ofrimin e shërbimeve online dhe reduktimin e korrupsionit, sot është në qendër të akuzave të rënda që lidhen me abuzime dhe shkelje serioze.
“Kjo është një çështje që kërkon transparencë të plotë, pasi lidhet edhe me sigurinë e të dhënave të qytetarëve,” u shpreh deputetja.
