Avokati i Popullit, Endrit Shabani, zhvilloi sot një takim zyrtar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Gjatë takimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për të nisur një fazë të re bashkëpunimi, me fokus mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Shabani prezantoi vizionin e tij për një institucion më aktiv dhe të angazhuar, duke theksuar rëndësinë e rritjes së llogaridhënies së administratës publike dhe mbrojtjes së shtresave më të pambrojtura. Ai nënvizoi se Avokati i Popullit do të luajë një rol kyç për të siguruar që reformat të përkthehen në standarde reale europiane për qytetarët.

Nga ana tjetër, ambasadori Gonzato vlerësoi qasjen e re të institucionit dhe rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar Avokatin e Popullit si një partner të rëndësishëm në monitorimin e standardeve të Kapitullit 23.

“Mbrojtja e të drejtave në arsim dhe shëndetësi mbetet prioritet, pasi lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe dinjitetin e qytetarëve,” u shpreh Shabani.

Ai shtoi gjithashtu se institucioni do të vijojë të ngrejë shqetësimin për vonesat në sistemin gjyqësor dhe nevojën për akses të barabartë në drejtësi, duke theksuar domosdoshmërinë e krijimit të mekanizmave ndëshkues për institucionet që nuk zbatojnë rekomandimet.

Në kuadër të forcimit të demokracisë vendore, Shabani mirëpriti edhe propozimin që Avokati i Popullit të ketë një rol aktiv në reformën e ardhshme territoriale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

Në përfundim, të dyja palët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin përmes nismave konkrete që rrisin rolin dhe ndikimin e institucioneve të pavarura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb