presidenti i Republikës, Bajram Begaj vlerësoi sot ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel atë si një ndër miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, ndërsa shprehu ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta.
Kreu i Shtetit vuri në dukje në një postim në rrjetet sociale, rolin e rëndësishëm që Engel ka luajtur ndër vite në mbështetje të çështjes shqiptare, veçanërisht për Kosovën dhe në periudhat më sfiduese të historisë së kombit.
Ai shtoi se figura e Engel do të mbetet e paharruar në kujtesën e shqiptarëve, si një mbështetës i palëkundur dhe një zë i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
Postimi më poshtë:
“Sot u nda nga jeta Eliot Engel, një mik i madh i shqiptarëve dhe një derë gjithmonë e hapur për ta.
Me mirënjohje të thellë, falënderojmë për gjithçka që bëri për Kosovën dhe për kombin shqiptar, veçanërisht në momentet më të vështira të historisë sonë.
Emri i tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve, si një nga miqtë tanë më të vyer, që qëndroi pranë nesh me përkushtim dhe guxim.
U prehsh në paqe!”
