Policia ka arrestuar një person të shpallur në kërkim, gjatë një operacioni të zhvilluar më 10 prill 2026 në zonën e Malësisë së Krujë, konkretisht në Bruz Zall.

Në pranga është vënë shtetasi Imer Kameri, 54 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim që prej janarit 2024 për veprat penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas policisë, ai dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin Agron Asllanaj, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga ngjarja.

Gjithashtu, në gusht të vitit 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tirana kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”.

Nga verifikimet rezulton se Kameri nuk është i panjohur për drejtësinë, pasi edhe në vitin 2012 është gjykuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje”.

Policia bën me dije se vijojnë veprimet procedurale për këtë rast, ndërsa i arrestuari do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Njoftimi:
Si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operativo-ligjore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mountain”, për kapjen e shtetasve në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin I. K., 55 vjeç, banues në Krujë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në janar të vitit 2024, në fshatin Bruzë-Zall, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 55-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit A. A.
Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi, po nga Gjykata e Tiranës, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” edhe për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb