Në një moment kyç për procesin e integrimit europian, kur Shqipëria ende nuk ka marrë një sinjal pozitiv nga COELA dhe ndërsa kryeministri vijon turin e tij për të shpjeguar ecurinë e procesit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku e përkufizon këtë fazë si “ditën e llogarisë”.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe pritshmërive për IBAR, Tabaku thekson se ky është një moment prove për vendin, ku nuk mjaftojnë deklaratat politike, por kërkohen rezultate konkrete në standarde, vlera dhe norma europiane.
Në mesazhin e saj, ajo përmbledh tre çështje thelbësore që, sipas saj, përcaktojnë këtë moment:
Tabaku thekson se Shqipëria është përballë një realiteti ku korrupsioni ka marrë përmasa sistemike. Sipas saj, përmes ligjeve dhe vendimmarrjes është krijuar një model që lejon shpërndarjen e pasurisë publike pa garë dhe pa meritë, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e ekonomisë dhe konkurrencës.
Një tjetër pikë kyçe mbetet funksionimi i shtetit të së drejtës. Tabaku ngre shqetësimin nëse qytetarët dhe zyrtarët trajtohen njësoj përpara drejtësisë, duke evidentuar përpjekjet për ndërhyrje në legjislacion që mund të ndikojnë në proceset hetimore dhe standardet e barazisë.
Në aspektin ekonomik, ajo sjell në vëmendje hendekun mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke theksuar se të ardhurat e shqiptarëve mbeten rreth 20% e mesatares së BE-së, ndërsa çmimet kanë arritur në rreth 60%, një disproporcion që rëndon drejtpërdrejt jetesën e qytetarëve.
Në fund të mesazhit, Tabaku ndalet edhe tek qëndrimi i kryeministrit ndaj drejtësisë, duke sugjeruar se ndryshimet e fundit në retorikë nuk përbëjnë domosdoshmërisht një ndryshim të qëndrueshëm. Duke përdorur shprehjen popullore “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, ajo nënkupton se sjelljet e përkohshme nuk garantojnë një qasje të re ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht në një moment kaq të rëndësishëm për procesin e integrimit.
