Pas dështimit të negociatave SHBA-Iran për paqe Pakistani bën thirrje për respektimin e armëpushimit. Po a ka ndonjë mundësi për vazhdimin e bisedimeve SHBA-Irak?
Pas dështimit të përkohshëm të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit, Pakistani që ishte ndërmjetësi i bisedimeve, u bëri thirrje të dy vendeve që të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin për të cilin kanë rënë dakord. Kjo është “absolutisht e domosdoshme”, tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar.
Pakistani do të vazhdojë të shërbejë si ndërmjetës për të mundësuar “dialogun” mes Uashingtonit dhe Teheranittha Dar duke falënderuar gjithashtu SHBA-në dhe Iranin për njohjen e përpjekjeve të Pakistanit për t’i dhënë fund luftës.
A ka ndonjë mundësi për vazhdimin e bisedimeve për paqe?
Duket se të dyja palët janë në parim të gatshme për negociata të mëtejshme. Deklarata e Vance, se ata po lënë një ofertë në tryezë, është mjaft e paqartë, por nuk tingëllon si përfundim i menjëhershëm i negociatave, të cilat mund të vazhdojnë edhe prapa skenave. Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Baghai, nuk i përjashtoi negociatat e mëtejshme dhe theksoi se diplomacia nuk përfundon kurrë.
Edhe deklaratat e presidentit amerikan Trump sugjerojnë negociata të mëtejshme: “Pres që ata të kthehen dhe të na japin gjithçka që duam”, tha ai për Fox News.
Eksperti i sigurisë që punon në King’s College in London, Peter Neumann, nuk i sheh negociatat si të dështuara përfundimisht. Megjithatë, sipas tij, nuk mjafton që njëra palë t’i diktojë kushte palës tjetër. Nëse amerikanët duan të arrijnë hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një zgjidhje të qëndrueshme për programin bërthamor, ata duhet t’u bëjnë lëshime iranianëve në disa çështje, tha Neuman.
“Është e qartë: SHBA-të janë futur në një situatë strategjike të pafavorshme me këtë luftë.” Por humbës, sipas ekspertit Neumann, janë edhe demokratët iranianë.
Pse dështuan bisedimet?
Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, tha se negociatat dështuan për shkak të asaj që ata e konsideruan si refuzim të Iranit për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor.
“Ne duhet të shohim një angazhim të qartë që ata nuk do të kërkojnë armë bërthamore dhe nuk do të kërkojnë mjetet që do t’u mundësonin të krijojnë shpejt një armë të tillë,” tha Vance.
Por Ghalibaf këmbënguli se Irani “nuk do të ndalë për asnjë moment përpjekjet për të konsoliduar arritjet e dyzet ditëve të mbrojtjes kombëtare”, duke shtuar: “SHBA-ja e ka kuptuar logjikën dhe parimet e Iranit dhe tani është koha që ata të vendosin nëse mund ta fitojnë besimin tonë apo jo.”/DW
