Ish-ministri Edmond Panariti, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke bërë paralele me situatën në Hungari dhe duke theksuar nevojën për një opozitë më të organizuar.

Panariti u shpreh se në Shqipëri po shfaqen elementë të ngjashëm me modelin e opozitës hungareze që dje mori pushtetin, duke përmendur organizimin e protestave dhe forumeve nga opozita, si dhe nevojën për përfshirjen e shoqërisë civile në çështje të rëndësishme.

“I shikoj këto elemente si në Hungari te opozita në Shqipëri, duke organizuar protesta, forume. Kërkohet tërheqja e shoqërisë civile për çështjet problematike,” deklaroi ai.

Sipas tij, një koalicion i vërtetë opozitar duhet të përfshijë edhe sindikatat, pavarësisht se aktualisht ato janë thuajse inekzistente. Ai shtoi se vendi nuk mund të vazhdojë me mandate të pafundme të kësaj mazhorance, të cilën e akuzoi për kontroll të thellë të sistemit.

“Koalicioni i vërtetë duhet të përfshinte edhe sindikatat… Nuk mund të vijohet më me mandate pafund të kësaj mazhorance që kontrollon sistemin në qelizë,” u shpreh Panariti.

Duke u ndalur tek protestat, ai theksoi rëndësinë e tyre si instrument për të mbajtur aktiv reagimin qytetar.

“Protesta duhet të mbajë gjallë nervin qytetar të protestës. Ata që thonë se është bërë rutinë, ajo është si pikë që godet herë pas here një mur,” tha ai.

Panariti komentoi gjithashtu edhe çështjen që lidhet me ish-zv/kryeministren e akuzuar nga SPAK, Belinda Balluku, duke kërkuar një rishikim të thellë të marrëdhënieve mes pushteteve.

“Rasti Balluku kërkon rishikim total të gjithë arkitekturës së marrëdhënies mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor apo organeve hetuese. Kur një organizëm pengohet, vihet në dyshim thelbi i reformës në drejtësi,” deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb