Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorë, pasi dyshohet se kanë kanosur me pistoletë sportive dhe kanë dhunuar një 35-vjeçar, duke tentuar ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë ndërhyrë menjëherë pas njoftimit dhe kanë organizuar veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se këta shtetas kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, i cili ndodhej brenda automjetit të tij. Më pas, ata kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga makina, duke e goditur me grushte dhe me tytën e armës.I dëmtuari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit, policia gjeti të fshehur një pistoletë sportive në një automjet në pronësi të babait të njërit prej të arrestuarve. Arma u sekuestrua së bashku me dy automjete të përdorura në ngjarje. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të ndaluarve rëndojnë akuzat për “Kanosje”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: