Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, doli në konferencë për shtyp në prag të përballjes së kthimit ndaj Real Madrid në Champions, duke dhënë sinjale respekti maksimal për kundërshtarin.

“Mendoj se ishte një rezultat i mirë. Kaq. Ndoshta mund të kishim shënuar edhe një gol më shumë, por gjithashtu mund të kishim pësuar më shumë. Kemi një avantazh të vogël, asgjë më shumë. Ishte një ndeshje e nivelit të lartë, e vështirë dhe ende nuk ka përfunduar. Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Dhe gjithçka që mund të përmirësojmë, do të përpiqemi ta përmirësojmë”, ka thënë fillimisht trajneri belg.

Kompany më tutje thotë se po përgatiten për versionin më të mirë të Realit në ndeshjen e nesërme.

“Një nga gjërat kryesore, pa dyshim, është se kemi shumë respekt për Real Madridin. Kështu kemi ndjerë edhe para ndeshjes në ‘Bernabéu’ dhe ende ndihemi njësoj. Po përgatitemi për versionin më të mirë të Realit, që është ai që pamë kundër Manchester Cityt. Rezultatet e fundit të tyre nuk e pasqyrojnë talentin që kanë. Ata janë ende një nga ekipet më të mira në Evropë.

Por çfarë ndodh me historinë e Barcelonës, Atlético Madridit, Liverpoolit, Bayern Munichut, Arsenalit? Të gjithë mund të tregojnë një histori kur kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Edhe ne mundemi! Kur humbëm ndaj Interit dhe udhëtuam në Milano, ishim 100% të bindur se mund të fitonim. Reali ndjen të njëjtën gjë tani. Por ne gjithashtu e dimë si t’i dëmtojmë. Besoj fort se mund të fitojmë. Mund të flasim për gjithçka tjetër më pas, por nuk po i lë vend asgjëje tjetër para kësaj”, shtoi Kompany.

Bayern ka triumfuar 2-1 në ndeshjen e parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb