Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i akuzuar për veprimet e tyre.
Në një deklaratë për mediat, Berisha iu referua daljes së fundit publike të Ramës dhe Ballukut në Fier, e cila vjen javë pasi kryeministri ka ofruar mbrojtje politike ndaj saj, pas akuzave të ngritura nga SPAK dhe kërkesave për arrestimin e saj.
Berisha u shpreh se Rama është bërë “barsaletë në mediat ndërkombëtare”, duke ironizuar një deklaratë të fundit të kryeministrit për sistemin e drejtësisë. “Dje deklaroi se shpata e drejtësisë është në zyrën time. Ta kuptojnë mirë shqiptarët dhe partnerët tanë se çfarë drejtësie ka Shqipëria,” tha ai.
Duke vijuar akuzat, lideri demokrat e cilësoi raportin mes Ramës dhe Ballukut si një “binom hajdutësh”, për të cilin përdori edhe tone ironike, duke thënë se “rikthehet legjenda ‘keni parë s’keni parë, një i vdekur me të gjallë’”.
Sipas Berishës, të dy përfaqësojnë një bashkëpunim që, në fund, do të përballet me reagimin e qytetarëve. “Ata shkojnë bashkë si një binom hajdutësh që do marrin vendin e merituar nga qytetarët shqiptarë,” deklaroi ai.
