Drejtori i Zyrës së Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka komentuar situatën politike në vend gjatë një interviste në studion e News24, duke bërë një krahasim mes Shqipërisë dhe Hungarisë në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike.

Duke iu referuar zgjedhjeve në Hungari dhe figurës së Peter Magyar, Lela theksoi se, sipas tij, dallimi mes dy vendeve është “thelbësor dhe strukturor”.

“Hungaria e të qenit gogol i demokracisë është një përrallë. Dallimi mes Shqipërisë dhe Hungarisë është thelbësor… në Hungari bëhen zgjedhje të lira, në Shqipëri nuk bëhen,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo është, sipas tij, “dallimi i madh” mes dy vendeve.

Lela vijoi më tej duke argumentuar se në Hungari, sipas tij, nuk ka presione të tilla si në Shqipëri në raport me punësimin apo jetesën, duke kritikuar edhe qeverinë për kontroll mbi çështje ekonomike si çmimet dhe politikat publike.

Në deklaratën e tij, ai komentoi edhe situatën politike në Partinë Socialiste, duke bërë krahasime të drejtpërdrejta mes skandaleve politike në Hungari dhe në Shqipëri, ndërsa përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj mazhorancës.

“Hungaria e të qenit gogol i demokracisë është një përrallë. Dallimi mes Shqipërisë dhe Hungarisë është thelbësor, struktural dhe janë disa, në Hungari bëhen zgjedhje të lira, në Shqipëri nuk bëhen. Ky është dallimi i madh. Ata që nuk e thonë këtë apo nuk e dallojnë po i heqin logjikës faktet. Fakti është që në Hungari bëhen zgjedhjet e lira, në Shqipëri jo.
Po të krahasojmë Hungarinë me Shqipërinë, nuk të kërcënon kush atje me vendin e punës, bukën e gojës, etj. Mund të fajësojmë opozitën, por nuk shkojmë te qëllimi dhe fakti. Jemi duke shkuar në drejtim të paditur dhe padijeni të asaj që është logjike. Qeveria ka në dorë çmimin e naftës, çmimet e ushqimeve, ka në dorë të mos gënjejë për anëtarësimin në BE, ka në dorë që në vend të Belinda Ballukut të zgjedhë Europën. Ne krahasojmë Magyarin atje me skenën politike këtu. Magyar ekspozoi një skandal seksual në Hungari ndërsa këtu ka skandale më të rënda dhe nuk ka Magyar në PS, por ka gomerë që shkojnë në burg dhe ndonjë mushkë që shpëton se e do Rama shumë”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb