E ardhmja e Kristjan Asllanit vazhdon të mbetet e pasigurt, pasi mesfushori nuk e ka të garantuar qëndrimin në radhët e Beshiktashit. Paraqitjet e tij në klubin turk ku u huazua në janar, nuk është se kanë qenë brilante ndaj në Stamboll po shtohen gjithnjë e më shumë zërat për kthimin tek Interi në verë.

Një arsye shumë e fortë për të cilën Beshiktashi nuk do të vërë në zbatim klauzolën për blerjen e kartonit të tij, është se drejtuesit mendojnë që shifra 11 milionë euro që ka caktuar Interi është shumë e lartë për mesfushorin. Mediat turke kanë bërë të ditur prej kohësh se klubi kërkon të negociojë me italianët për të ulur këtë vlerë dhe tashmë është mësuar se cila është shifra që ata cilësojnë të pranueshme për Asllanin.

“Skorer” bën të ditur se Beshiktashi do të blinte Asllanin nëse vlera e tij do të ulej në 5-6 milionë euro, por nuk pranon të paguajë më shumë për lojtarin e Kombëtares shqiptare. Një situatë që tanimë kalon topin te Interi për ta zgjidhur këtë situatë. Zikaltrit kanë tashmë nga një anë opsionin e një përfitimi të menjëhershëm nga largimi i Asllanit që nuk bën pjesë në planet e klubit, ndërsa në anën tjetër ekziston rreziku për ulje e mëtejshme të vlerës së tij me një huazim tjetër në sezonin e ardhshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb