Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari në një komunikim për mediat, deklaroi se pas ndërhyrjeve të vazhdueshme, zjarri që përfshiu pallatin në Tiranë është vënë në kontroll. Ai po ashtu theksoi se edhe një tjetër person i moshuar është evakuuar, i cili ndodhej në pallatin pranë, dhe se ishte prekur për shkak të tymit të madh që preku zonën.
Ai gjithashtu shpjegoi se ngjarja është në zhvillim e sipër, megjithatë të gjitha forcat, zjarrfikësja, FNSH, zjarrfikës janë në gatishmëri.
“Një operacion shumë i vështirë. Nuk kemi viktimë. Kemi të dëmtuar me djegie dhe dëmtime të karakterit jo të rëndë. Janë nxjerrë disa banorë të pamundur nga gjendja shëndetësore. Para 10 minutash u evakuua një person i moshuar. Për të qetësuar të gjithë opinionin publik zjarri është vënë nën kontroll. Por operacioni do të vazhdojë deri në fund, kur të neutralizohet i gjithë zjarri”, tha më tej ai.
Më tej theksoi se ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës dhe emergjencat civile për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
“Unë jam prefekti i qarkut të Tiranës dhe dal përpara jush jo për të bërë politikë. Shteti është këtu.”, tha ai.
