GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama në gjykimin e çështjes se njohur si dosja “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri dhe kryetari i Partise Demokratike te Shqipërisë, Sali Berisha.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala, e cila ka zbuluar detaje mbi vendimin e trupës gjykuese dhe zhvillimet më të fundit në proces.

Sipas saj, gjatë seancës së sotme, gjykata ka pranuar kërkesën e avokatëve të Berishës, të cilët kanë argumentuar se dëshmia e Ramës, në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranë, është kyçe për sqarimin e ndryshimeve të destinacionit të pronës së ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Mbrojtja ka theksuar se dëshmia e kryeministrit është e domosdoshme për një vendimmarrje të drejtë, duke kërkuar që gjykata të dëgjojë qëndrimin e tij mbi rrethanat e çështjes.

Sipas raportimeve, përpara marrjes në pyetje të kryeministrit, procesi do të vijojë me dëshmitarët e thirrur nga prokuroria, të cilët përfshijnë ish-zyrtarë dhe ekspertë të përfshirë në hetimin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb