Fundi i sezonit po shoqërohet me shqetësime serioze për Vllaznia Shkodër, teksa skuadra kuqeblu po përballet me një valë dëmtimesh që rrezikon të ndikojë ndjeshëm në objektivat e saj. Në një moment kur çdo pikë ka peshë të madhe, mungesat në organikë janë kthyer në një pengesë të dukshme për stafin teknik.

Prej më shumë se dy javësh, mbrojtësi Melos Bajrami vuan nga një dëmtim që e ka lënë jashtë fushave, duke i mohuar ekipit një element të rëndësishëm në prapavijë. Mungesa e tij nuk është se është ndjerë edhe aq shumë, si shkak i performancës pozitive të futbollistëve të tjerë. Por, patjetër mëngjarashi është një lojtar cilësor i repartit defensiv. Problemet nuk ndalen këtu. Në përballjen e fundit ndaj Teutës, mungoi edhe Bismark, i cili pësoi një dëmtim gjatë seancave stërvitore.

Një goditje tjetër për skuadrën, që vjen në një periudhë ku rotacioni i lojtarëve është i kufizuar dhe alternativat në stol janë gjithnjë e më të pakta. Po në atë sfidë, një tjetër lajm i keq erdhi nga fusha, ku Dros u detyrua të largohej i dëmtuar. Ironikisht, kjo ndodh vetëm pak javë pasi ai ishte rikthyer në 100% të formës pas një dëmtimi që e kishte mbajtur larg për plot katër muaj, duke shtuar edhe më shumë shqetësimin në kampin shkodran. Ndërkohë, situata bëhet edhe më e rëndë me mungesën afatgjatë të Lirim Kastratit, i cili tashmë e ka mbyllur sezonin dhe nuk do të zbresë më në fushë për edicionin 2025-26. Një humbje e konsiderueshme për repartin ofensiv, që i heq skuadrës një armë të rëndësishme në fazën sulmuese

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb