Një studim i ri shkencor sugjeron se njerëzit që vuajnë nga dhimbje kronike të shpinës mund të kenë gjithashtu një ndjeshmëri të shtuar ndaj tingujve të pakëndshëm, si për shembull zhurma e një thike që gërvisht xhamin, raporton “Washington Post”.

Hulumtimi u realizua nga një ekip studiuesish në Shkolla e Mjekësisë Anschutz e Universitetit të Kolorados, SHBA dhe u publikua në revistën shkencore” Annals of Neurology”.

Studimi u udhëhoq nga Dr. Yoni K. Ashar, neuroshkencëtar dhe bashkëdrejtues i Programit të Shkencës së Dhimbjes në këtë universitet.

Në analizë u përfshi edhe Dr. Sean Mackey, drejtues i Divizionit të Mjekësisë së Dhimbjes në Universitetin e Stanfordit, i cili theksoi se ende nuk dihet nëse kjo ndjeshmëri është pasojë e dhimbjes apo një faktor paraprak që rrit rrezikun për dhimbje kronike.

Studiuesit analizuan 142 persona me dhimbje kronike të shpinës dhe 51 persona pa dhimbje.

Pjesëmarrësit iu nënshtruan skanimeve të trurit (fMRI) ndërsa dëgjonin tinguj të ndryshëm, përfshirë zhurma shumë të pakëndshme.

Sipas gjetjeve kryesore, personat me dhimbje kronike reaguan më fort ndaj zhurmave sesa 84% e njerëzve pa dhimbje; truri i tyre tregonte aktivitet më të lartë në zonat që përpunojnë si, tingujt (korteksi auditor) dhe emocionet e pakëndshme (insula).

Njëkohësisht, u vu re aktivitet më i ulët në zonat që normalisht ndihmojnë në rregullimin e reagimeve emocionale

Sipas studiuesve, kjo tregon një lloj “amplifikimi ndijor”, ku truri nuk rrit vetëm ndjesinë e dhimbjes, por edhe reagimin ndaj stimujve të tjerë si zhurma.

“Një buton volumi në tru”

Dr. Ashar e përshkroi këtë fenomen si një lloj “butoni volumi i përbashkët në tru”, i cili mund të rrisë njëkohësisht intensitetin e dhimbjes dhe ndjeshmërinë ndaj tingujve të pakëndshëm.

“Dhimbja kronike e shpinës nuk është vetëm një problem i shpinës. Truri luan një rol qendror në mënyrën se si amplifikohen ndjesitë”, theksoi ai.

Çfarë do të thotë kjo për trajtimin?

Studiuesit testuan edhe një formë trajtimi të quajtur Terapia e Ripërpunimit të Dhimbjes “Pain Reprocessing Therapy” (PRT), një metodë psikologjike që synon të ndryshojë mënyrën se si truri interpreton sinjalet e dhimbjes.

Rezultatet paraprake treguan se kjo terapi uli intensitetin e dhimbjes dhe reduktoi edhe ndjeshmërinë ndaj zhurmave.

Pyetja që mbetet pa përgjigje

Shkencëtarët theksojnë se ende nuk është e qartë nëse njerëzit bëhen më të ndjeshëm ndaj zhurmave si pasojë e dhimbjes kronike, apo nëse kjo ndjeshmëri ekziston më herët dhe i bën ata më të prirur ndaj dhimbjes afatgjatë.

Studimi hap një këndvështrim të ri mbi dhimbjen kronike, duke treguar se ajo nuk kufizohet vetëm në trup, por lidhet ngushtë edhe me mënyrën se si truri përpunon zërin, emocionet dhe stimujt e përditshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb