TIRANË- Në orën 19:00 do të mbahet protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbërritur tek Kryeministria për sa i përket planit të masave për protestën.
Forca të shumta policie janë vendosur në godinën e Kryeministrisë, gjithashtu janë vendosur edhe gardh metalik. Siç shihet nga pamjet në zonë është e vendosur edhe një ambulancë, si edhe autobote uji. Kjo është protesta e shtatë kombëtare e organizuar nga PD, e cila kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama pasi ish-zëvendësja e tij, Belinda Balluku rezultoi e përfshirë në afera korruptive, ndërsa kërkesa e SPAK për arrestimin e saj u hodh poshtë me forcën e kartonëve nga mazhoranca.
Në protestën e sotme do të rikthehen fjalimet nga drejtues të PD, përfaqësues të forumit rinor, partive aleate dhe aktivistë. Mësohet se podium do të vendoset përpara Kryeministrisë.
