Digjet qëllimisht një automjet në pronësi të një punonjësi të policisë në qytetin e Vlorës.

Policia e qytetit bregdetar ka zbardhur ngjarjen e cila mendohet se ka qenë një porosi nga burgu e një të dënuari me “arrest me burg”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me një operacion policor të datës 02.04.2026, gjatë të cilit shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, ndër të cilët ishte edhe punonjësi i Policisë D. P., kanë kapur në flagrancë shtetasin L. H., pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,

Sipas komunikatës së policisë, autori i djegies së qëllimshme të automjetit të punonjësit të policisë është shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent kriminal.

Me ndërhyrjen e policisë, u shmang dhe djegia e një automjeti tjetër që gjendej pranë mjetit të shënjestruar nga autori.

“Nga hetimet rezulton se ky shtetas më datë 14.04.2026, ka djegur  automjetin e markës “Ford C-Max”, në pronësi të punonjësit të Policisë D. P.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, është përfshirë dhe është dëmtuar edhe një automjet tjetër i markës “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. K.

Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë  identifikimi i porositësit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit L. H., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet me masë sigurie “Arrest në burg”.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb