Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se ndryshe nga sa ndodhi në protestën e djeshme, me deputetët e Partisë së Liridë, Tedi Blushi, Erisa Xhixho dhe Edmond Haxhinasto që u larguan pas hedhjes së molotovëve, ata duhet të ishin pjesë e protestës deri në fund.

“Deputetët duhet të qendrojnë deri në fund. Dje në mënyrë selektive të plagosur të dëmtuar ishin një grup i gjerë deputetësh e drejtuesish”, tha ai.

Ndërkohë, Berisha ka paralajmëruar padi në prokurori për efektivët që sipas tij ushtruan dhunë ndaj qytetarëve.

“Mbrëmë siç theksova janë përdorur mjete të ndaluara me ligj kundër protestuesve. Para së gjithash është përdorur spraj “verbuesi i ariut” që në disa rrethana ka pasoja vdekjeprurëse. I përdorur tek njerëzit mund të shkaktojë ndalimin e zemrës për shkak të dhimbjes së madhe që mund të shkaktojë.

Policë kriminelë kanë hedhur kapsolla në këmbët e protestuesve, bomba shurdhuese, janë vërsulur me egërsi dhe qëllim mbi deputetët që veçse ishin garantë të kryengritjes paqësore. Për të gjithë këto dosjet do të shkojnë në prokurori. Prokuroria nuk pritet të bëjë ndonjë veprim por dosjet do të shkojnë me besimin se drejtësia vonon nuk harron”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb