Një nga misteret më të vjetra në SHBA, zhdukja e familjes Martin në vitin 1958, është zgjidhur pas gati shtatë dekadash, falë përparimeve në teknologjinë e ADN-së dhe një hetimi të gjatë.
“The Mirror” shkruan se, familja u zhduk në dhjetor të vitit 1958, teksa po udhëtonte për të marrë një pemë të Krishtlindjeve. Zhdukja e tyre u raportua më 9 dhjetor, pasi prindërit nuk u paraqitën në punë, duke ngritur menjëherë alarmin për autoritetet.
Disa muaj më vonë, trupat e dy vajzave, Virginia dhe Susan Martin, u gjetën në rrjedhën e poshtme të lumit Columbia në Oregon. Megjithatë, për dekada me radhë mbeti mister fati i prindërve, Kenneth dhe Barbara Martin, si dhe i vajzës së tyre më të madhe, Barbara (Barbie).
Së fundmi, mbetjet mortore të tyre janë identifikuar, pasi një makinë e tipit Ford – që besohet se i përkiste familjes – u zbulua në lumin Columbia në vitin 2024 nga studiuesi i pavarur Archer Mayo. Analizat e ADN-së, të kryera nga Zyra e Mjekut Ligjor të Oregonit në bashkëpunim me laboratorin e gjenetikës forenzike Ortham Inc, konfirmuan identitetin e viktimave.
Autoritetet theksuan se hetimi shumëvjeçar nuk ka gjetur asnjë provë për një krim, duke mbështetur teorinë fillestare se familja mund të ketë pësuar një aksident fatal duke rënë me makinë në lumë.
Megjithatë, gjatë viteve nuk kanë munguar dyshimet. Djali i madh i familjes, Donald Martin, i cili ishte 28 vjeç në atë kohë, kishte shprehur bindjen se ngjarja nuk ishte aksidentale. Një raport autopsie i vitit 1959 përmendte edhe një plagë të mundshme me armë zjarri në kokën e njërës prej vajzave, por kjo nuk u konfirmua për shkak të dekompozimit të trupit. Asnjë i dyshuar nuk është identifikuar ndonjëherë.
Zgjidhja e këtij rasti është pritur me lehtësim nga komuniteti dhe të afërmit. “Shumë njerëz punuan për vite me radhë për të gjetur dhe identifikuar familjen Martin dhe ne jemi krenarë që kemi ndihmuar”, tha Kristen Mittelman, Drejtoreshë e Zhvillimit, për rrjetin KATU. “Një mister si ky nuk rëndon vetëm mbi familjen, por mbi të gjithë komunitetin dhe shpresojmë që kjo t’u japë shumë njerëzve zgjidhjen që meritojnë.”
Ky rast konsiderohet një shembull i rëndësishëm i rolit që luajnë teknologjitë moderne në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra dhe në sjelljen e përgjigjeve për familjet pas dekadash pasigurie.
Mostrat e ADN-së nga mbetjet njerëzore që datojnë që nga vitet 1950 u ekzaminuan në një përpjekje për të zbuluar fatin e një familjeje që u gjetën më vonë në të njëjtin lumë me automjetin me të cilin udhëtuan.
