Dega e Partisë Demokratike Krujë, ka zhvilluar ditën e sotme, zgjedhjet për kreun e ri të demokratëve në Krujë dhe Fushë Krujë, të cilat janë bashkuar në një degë të vetme, sipas statutit.

Pak minuta më parë ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Degën e PD, Krujë, ku fitues rezulton kandidati, Aulon Kalaja, i cili garonte me Myftar Ismailaja.

Sipas procesverbalit zyrtar, gjithësej kanë marrë pjesë 717 demokratë nga Kruja, Fushë Kruja, Thumana, Burizana, Cudhis, Niklë dhe Bubqi.

Aulon Kalaja ka siguruar 622 vota, duke u bërë kështu Kryetari i ri i PD, Dega Krujë.

Menjëherë pas mbarimit të procesit, Aulon Kalaja, në fjalimin e tij të parë pas fitores, theksoi se rezultati nuk ishte thjesht një çështje shifrash, por një mandat për “bashkimin e zemrave demokrate”. Mesazhi i tij kryesor ishte një thirrje e qartë për unitet brenda partisë.
Mesazhi

Të nderuar demokratë të Krujës, Fushë-Krujës, Kodër Thumanës, Niklës, Bubqit dhe Cudhinit:

Ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Demokratike “Dega Krujë, Fushë-Krujë”.
Masiviteti që treguat sot ishte për t’u lavdëruar në çdo drejtim! Nuk do flasim për shifra votash, por për bashkim zemrash që flasin me një zë.

Ju sot më ngarkuat përgjegjësinë për të çuar përpara një projekt të madh politik. Më dhatë nderin të përfaqësoj opozitën e Krujës së Skënderbeut dhe Fushë-Krujës së Albanopolis. Çfarë nderi më të madh, mund t’i bëhet një politikani të ri?!

Jam i vetëdijshëm që kemi shumë punë përpara dhe qëllimi i parë është bashkimi i opozitarëve në një drejtim, atë të fitores së Partisë Demokratike. Nuk do të jem gjë tjetër veçse një prej jush.
Si çdo proces edhe ky, kishte frikërat e veta, pikëpyetjet, ngurimet, hamendësimet dhe kundërshtitë. Krejt normale për një parti të djathtë konservatore si kjo e jona. E kundërta do të ishte e çuditshme. Brënda forcës tonë politike nuk ka armiq, as kundërshtarë, por rival. Dhe rivaliteti sjell përherë progres. Prandaj një falënderim të veçantë kam për garuesin tjetër Myftar Ismalaja, që tregoi qytetari dhe maturi.

Sot dhe neser i shtrij dorën çdokujt që kërkon të japë nga vetja dhe ju them se asnjë kontribut i juaji nuk do të humbasë, por do të llogaritet një më një. Ashtu siç është e nevojshme që strukturat tona duhet të rifreskohen, të hapemi, të ftojmë familjet e djathta, të thërrasim themeluesit, të vijnë të rinjtë, por të mbajmë të vjetrit, të përndjekurit që janë fibra e të djathtës, sepse forca jonë politike ka një nga vlerat e patjetërsueshme, ruajtjen e traditës. Prandaj me mua nuk nis “viti 0”, por unë jam kryetari i radhës, që do kem nderin të drejtoj një nga zonat më të mrekullueshme të Shqipërisë. T’iu shtrimë dorën dhe të painteresuarve, indifererentëve dhe të zhgënjyerve, duke iu bërë thirrje që te na bashkohen në këtë përpjekje për ndryshim.
Strukturat tone do pasurohen edhe më shumë. Seksionet, grup-seksionet, kryesia, sekretariatet, departamentet, forumi i gruas, forumi rinor dhe çdo grupim tjetër që funksionon në familjen tonë politike.
Një gjë dua t’ju premtoj, se unë nuk do t’ju tradhëtoj kurrë.

Ne besojmë tek Zoti, familja, kombi, prona, ndaj le të ftojmë të gjithë ata që kanë diçka për të dhënë në këtë mision, të na bashkohen.
Krujës le t’i kthejmë lavdinë.
Sinqerisht, i juaji Aulon Kalaja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: