Një 40-vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka kryer manovra të rrezikshme, me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike dhe alkoolit si dhe pa leje drejtimi. Ai u arrestua te sheshi “Wilson”, si rezultat i ndjekjes policore.

Pasi iu bë shenjë ndalimi, ai shtoi shpejtësinë e automjetit, kreu manovra të rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë, përplasi automjetin e tyre dhe gjatë shoqërimit, i kundërshtoi me dhunë.

Sekuestrohen automjeti tip “Volkswagen” dhe sasi lënde narkotike Kokainë që u gjet gjatë kontrollit në të.

“Gjatë patrullimeve të shtuara gjatë fundjavës, me objektiva garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në rrugën “Ibrahim Rugova”, kanë konstatuar një shtetas që kryente manovra të rrezikshme me automjetin që drejtonte, dhe për këtë arsye i kanë bërë shenjë ndalimi.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të përsëritur të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes, përplasi automjetin e Policisë duke rrezikuar, jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje, dhe në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit të koduar “Efekti”, kanë mundësuar kapjen pas disa minutash, te sheshi “Wilson”, dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit, shtetasit Mishel Prela, 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kundërshtuar me dhunë, efektivët, dhe gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ai e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike dhe të alkoolit dhe pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”, sqaron policia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: