Më shumë se 200 turistë mbetën të bllokuar të hënën në mëngjes në majën e një mali në Rio de Janeiro, ku ishin ngjitur për të admiruar lindjen e diellit, kur shpërthyen përleshje midis policisë dhe anëtarëve të bandave në një favelë aty pranë.
Turistët pritën gati dy orë për të zbritur nga maja e Mogo Dois Irmaos (Mali i Dy Vëllezërve), ndërsa të shtënat dëgjoheshin nga favela Vidigal poshtë. Ata më në fund u larguan pasi policia, e cila ishte në kontakt me udhërrëfyesit e tyre, dha dritën jeshile.
Çdo javë, mijëra turistë kalojnë nëpër këtë favelë të veçantë për të arritur në majën e malit (533 m.) e cila u ofron vizitorëve pamje panoramike të plazheve të famshme Leblon dhe Ipanema.
“Në mëngjes kishte më shumë se 200 njerëz, 70% turistë të huaj”, tha për AFP-në Renan Monteiro, nga një agjenci turistike që organizoi udhëtimin në mal. Sipas tij, favela Vidigal është përgjithësisht e qetë dhe e përshtatshme për të pritur turistë, por “në çdo operacion policor, imazhet bëjnë xhiro në botë dhe kjo ka një ndikim” në fluksin e vizitorëve.
Policia pretendoi se anëtarët e një bande të trafikut të drogës hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë të vendosura në zonë, “duke i vënë në rrezik banorët dhe vizitorët”.
“Ishte vërtet e frikshme! Ishim në një shkëmbim zjarri, një helikopter (policie) fluturonte pikërisht sipër nesh. Disa njerëz ranë të fikët”, tha për AFP-në Deborah Morais, një vizitore 28-vjeçare nga Sao Paulo. Ariane Sampaio Moura, e cila kishte qëndruar me vajzën e saj në Vidigal që nga e shtuna, tha se u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit nga zhurma e të shtënave dhe helikopterëve. “Po largohemi me zemër të thyer sepse donim të qëndronim më gjatë dhe ta shijonim, por tani është më mirë të largohemi”, shtoi 41-vjeçarja, e cila udhëtoi gjithashtu nga Sao Paulo.
Nuk u raportuan të lënduar gjatë përleshjeve në favelë. Policia tha se arrestoi tre të dyshuar.
Incidenti ndodhi rreth gjashtë muaj pas operacionit më të përgjakshëm policor në favelat e Brazilit, më 28 tetor, i cili la më shumë se 120 të vdekur në pjesën veriore të Rio de Janeiro-s.
