Me tone të ashpra ka folur që në nisje të konferencës së tij për gazetarët në selinë blu kreu i PD Sali Berisha, në lidhje me kryeministrin Edi Rama.

Ai u shpreh se kreu i qeverisë është një burracak që fshehu pjesëmarrjen në samitin në Spanjë.

“Të nderuar gazetare dhe gazetarë, të nderuar qytetare dhe qytetarë, këtë konferencë para jush ju kërkoj ndjesë, por do ta filloj duke shtruar një pyetje për të gjithë ju. Si mund të quhet, çfarë emri mund t’i vihet një kryeministri, i cili fluturon disa mijëra kilometra nga vendi i tij për të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar të titulluar Samiti Global për Demokracinë në Barcelonë dhe mashtron qytetarët e vet, u thotë se unë isha për një vizitë në Spanjë, tek Pedro Sanchez, dhe nuk thotë një fjalë të vetme, mban sekret për qytetarët e vendit të tij pjesëmarrjen në samitin global ku ishin një numër i caktuar kryetarësh shtetesh apo kryeministra, nga një seri vendesh të Amerikës Latine, të Afrikës dhe pjesë të tjera të globit.

Pra, edhe njëherë, kur një kryeministër shkon në një vend, merr pjesë në një samit sikur të ishte klandestin, në një kohë kur ajo ishte ngjarje publike ndërkombëtare, e ftuar nga kryeministri spanjoll, me një numër të konsiderueshëm kryeministrash dhe kryetarë shtetesh.

Çfarë emri mund t’i vini ju një kryeministri të tillë që fsheh pjesëmarrjen e tij në një samit ndërkombëtar dhe e shet se ishte për një vizitë zyrtare në Spanjë?

A mund ta quani këtë një burrec, një langaraq, por mundet edhe një prostitutë amorale politike?”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb