Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Greqi, me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, (21-23 prill). Aktiviteti është një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global.

Agjencia për Media dhe Informim bën të ditur se Rama do të zhvillojë një takim me homologun e tij, kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Në fokus të takimit pritet të jetë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ecurinë e punës së përbashkët për dokumentin e ri të partneritetit strategjik mes dy vendeve, për të cilin janë angazhuar ekipet e ministreve të jashtme të dy vendeve.

Gjatë punimeve të Forumit, do të nënshkruhet në një ceremoni të veçantë Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb